Home | Magazine
në fokus

Shqipëria, e vetmja në botë me 3% rritje ekonomike

Gerwin Bell, shefi i misionit të FMN-së, deklaron se Shqipëria e përballoi mjaft mirë krizën. “Rritja ekonomike në vitin 2009 ishte mbresëlënëse”

Në vitin 2009, Shqipëria ishte ndër vendet e vetme në botë që arriti të shënonte një rritje ekonomike pozitive prej 3 për qind, në kulmin e recensionit më të thellë ekonomik që prej Luftës së Dytë Botërore. Një rritje që është konsideruar “impresionuese” nga shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, në përfundim të vizitës së tij 10 ditore në vendin tonë. “Është mbresëlënëse se si ekonomia shqiptare ia doli ta përballojë krizën botërore mjaft mirë. Ne vlerësojmë se ekonomia shqiptare është rritur me 3 për qind gjatë 2009-ës, që është një nivel mjaft i lartë",- ka deklaruar Bell.

Por shifra e rritjes ekonomike gjatë viti që lamë pas, krijon premisat për rritje të mëtejshme të ekonomisë sonë edhe gjatë këtij viti. Kjo edhe pse klima në arenën ndërkombëtare mbetet e paqartë, megjithëse sinjalet e rimëkëmbjes së ekonomisë globale janë shfaqur. Një situatë kjo që sërish e bën skeptike FMN-në në parashikimet e saj. Për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar mendon se do të ketë rritje ekonomike pozitive, megjithëse në nivele më të ulëta. “Ne shohim se ekonomia shqiptare do të rritet në formë V-je. Pas ngadalësimit në tremujorët e fundit të vitit 2009 do të ketë rritje gjatë vitit 2010. Kjo është pozitive krahasuar me vendet e tjera. Për vitin 2010, ne parashikojmë që rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë 2.5 për qind”,- është shprehur Bell.

FMN: Të ulet borxhi publik

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë shqiptare që të ulë deficitin buxhetor, në përpjekje për të reduktuar borxhin publik. "Deficiti buxhetor nga 3 për qind në 2007 ka kapërcyer në rreth 7 për qind. Kjo solli rritjen e borxhit në 60 për qind të GDP-së dhe deficitin korent në 15 për qind. Këto janë të larta dhe rrezikojnë ekonominë. Qeveria duhet të kthejë deficitin brenda vitit 2010 në 3 për qind, me qëllim që të reduktojë në 50 për qind të PBB-së borxhin publik brenda këtij mandati",- u shpreh Bell. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se ky objektiv mund të arrihet nëpërmjet disa instrumenteve, si në kahun e shpenzimeve, ashtu edhe së të ardhurave.

“Ka disa instrumente. Mund të mos shpenzohen kontingjencat, mund të ulen shpenzimet kapitale, mund të rriten taksat. Ka një menu të pasur. Zgjedhja është një çështje politike”,- ka deklaruar Bell. Ndërkohë, ministri i Financave, z.Ridvan Bode, ka deklaruar se rruga që do të ndiqet për të reduktuar borxhin, do të synojë nxitjen e ekonomisë reale. “Ka shumë rregullime që mund të bëhen. Por ne do të zgjedhim ato që mbështesin ekonominë reale”,-është shprehur Bode.

Kundërshtohet amnistia e gjerë fiskale

Gjatë vizitës në Shqipëri, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka diskutuar me qeverinë edhe për zbatimin e amnistisë fiskale, të kërkuar nga komuniteti i biznesit. Përfaqësuesi i FMN-së, z.Bell, ka shpjeguar se mund të bëhet legalizim asetesh, por jo falje e detyrimeve të papaguara të biznesit, pasi kjo rrezik të krijojë nju model të keq dhe dëmton ato biznese që paguajnë. “Duhet të përkufizojmë se çfarë kuptojmë me amnisti fiskale. Njëri aspekt është formalizimi i pronësisë dhe me këtë ne jemi dakord. Një tjetër aspekt është falja e detyrimeve ose ulja e detyrimeve për ato biznese që nuk kanë paguar. Ne jemi kundër kësaj, pasi krijon rrezik moral dhe jep shpresa për të mos paguar se mund të zbatohet nju ministri tjetër në të ardhmen”,- është shprehur Bell. Lidhur me këtë çështje, ministri Bode shpjegoi se qeveria do të dëgjojë sugjerimin e FMN-së dhe pasi të ketë analizuar situatën edhe me komunitetin e biznesit, do të vendosë. “Do të bëjmë një amnisti fiskale që do të dëmtojë sa më pak politikën e të paguarit. Ky është një vendim politik”,-deklaroi Bode.

Ekspertët e Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesit e biznesit janë ulur në tryezën e diskutimeve për zbatimin e amnistisë fiskale, masë kjo që nuk është ndërmarrë asnjëherë në Shqipëri.

FMN, këshilltar i qeverisë për financat publike

Vizita e fundit e misionit të FMN-në në Shqipëri ishte në kuadër të bashkëpunimit mes këtij institucioni financiar ndërkombëtar dhe qeverisë sonë, ku Fondi Monetar ka rolin e këshilltarit për ecurinë e buxhetit dhe ekonomisë, në përgjithësi. Misioni i FMN-së qëndroi 10 ditë në Shqipëri dhe zhvilloi takime me aktorë të rëndësishëm, si Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave, komisionin parlamentar të Ekonomisë, kryeministrin e vendit, me biznese etj.

Kjo procedurë ndiqet edhe me 136 vendet e tjera anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Misioni i FMN-së ka bërë disa rekomandime, të cilat i janë dorëzuar guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Këto konkluzione misioni do t’ia dorëzojë edhe Bordit Ekzekutiv në Uashington dhe ky i fundit, do t’i dorëzojë formalisht qeverisë shqiptare. Ky proces parashikohet që të ndodhë brenda 2 muajve të ardhshëm. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka deklaruar se rekomandimet e FMN-së do të merren parasysh nga qeveria dhe do të përfshihen në programin e saj. / g.agon / 10 mars 2010





Bookmark and Share
KOMENTET
KOMENTO
Emri
Emaili
Komentet


 
© 2008 Ipko. All rights reserved.   Email: portal@ipko.net